unesco-cities.jpg
sliderpng.png
Qytete të UNESCO-s
stunning-beauty.jpg
sliderpng.png
Bukuri Mahnitëse
old-churches.jpg
sliderpng.png
Kisha të Vjetra
paradise-beaches_1.jpg
sliderpng.png
Plazhe Përrallore
peaceful-nature.jpg
sliderpng.png
Natyrë Paqësore
challenging-experience.jpg
sliderpng.png
Përvoja Sfiduese

You are here

Lumenjtë dhe Liqenet


LIQENET 


Në raport me sipërfaqen gjeografike të saj, Shqipëria është shumë e pasur me liqene. Krahas liqeneve të mëdhenj të Shkodrës, Ohrit dhe Prespës gjenden disa dhjetra liqene të vegjël të mrekullueshëm dhe shumë liqene artificiale mjaft atraktivë. Interesant është fakti që çdo liqen i madh në Shqipëri përbën një rekord në gadishullin e Ballkanit. Liqeni i Shkodrës është liqeni me sipërfaqe më të madhe në Ballkan, 368 km katror, nga të cilat 149 km2 me një gjatësi brigjesh prej 57 km i takojnë Republikës së Shqipërisë. Liqeni i Ohrit është liqeni me thellësinë më të madhe në Ballkan, 289 m i thellë. Liqenet tektonike të Prespës ndodhen në lartësinë 850 m mbi nivelin e detit duke përbërë liqenet më të larta tektonike të gjithë gadishullit Ballkanik . 


Liqeni i Shkodrës gjendet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ai ka një breg shumë të bukur edhe të larmishëm të tipit të ulët të “marsheve” në veri dhe shkëmbor në jug. Në bregun jugor shquhen plazhet e Shirokës dhe të Zogajt. Fauna e liqenit të Shkodrës është një nga më të pasurat në Shqipëri. Në këtë liqen dhe në natyrën përreth tij jetojnë 45 lloj peshqish dhe 281 specie shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87 % të gjithë Ortinofaunës (shpendëve) të Shqipërisë. Një perlë e kësaj pasurie është patjetër pelikani, zogu më i madh në Evropë. 
Liqeni i Ohrit është një nga liqenet tektonike më të bukur të Ballkanit dhe të Evropës. Ai është midis Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ky liqen ka një sipërfaqe 358 km katror dhe ndodhet në lartësinë 695 m mbi nivelin e detit. Kjo bën që hapësira që ai ofron të ketë një klimë mjaft komforte dhe të shëndetshme, sidomos në stinën e nxehtë të verës. Liqeni i Ohrit ka një moshë 4 milionë vjeçare. Këtu gjenden 30 lloje molusqesh dhe Sfungjerin e Ohrit që gjendet vetëm këtu dhe në liqenin Bajkal. Në këtë liqen rritet peshku i famshëm Koran, i cili gjendet vetëm në dy liqene në botë si dhe belushka, një lloj trofte shumë e shijëshme. Këto lloj peshqish janë të njohur për karakteristikat e tyre gastronomike të veçanta dhe mjaft elegante. Bregu i këtij liqeni, që i përket Republikës së Shqipërisë, është 30 km i gjatë dhe ofron një infrakstukturë për turizmin duke përfshirë hotele, motele, restorante peshku, klube, etj. Kjo zonë është e njohur veçanërisht edhe për turizmin familjar. Ky breg përveç qytetit të Pogradecit ka dhe pika të tjera të njohura turistike si Lini, Pojska, Tushemishti, etj . 
Liqenet e Prespës. Liqeni i Prespës së Madhe ndodhet në territorin e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Greqisë dhe ka një sipërfaqe prej 285 km katror nga të cilat Shqipërisë i takojnë 44 km 2. Liqeni i Prespës së Vogël, me një sipërfaqe 44 km katror ndodhet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Vendit tonë i takon një sipërfaqe e vogël prej afërsisht 4 km 2. Ujërat e liqeneve të Prespës, sidomos Prespës së Madhe, ashtu si dhe liqeneve të tjerë të Shqipërisë, shquhen për një bukuri dhe kthjellësi te larte. Përreth këtyre liqeneve është mjaft i zhvilluar turizmi rural, ekoturizmi, observimi i zogjve si dhe sporte të ndryshme të ujit. Për të apasionuarit e natyrës liqenet e Prespës përbëjnë një spektakël mbresëlënës sidomos për ata që janë të interesuar për florën ujore. Natyra e bukur dhe e shëndetshme, bujaria dhe mikpritja e njerëzve që jetojnë në Prespë, ashtu si dhe në Pogradec dhe Shkodër do të bëjnë që çdokush që kalon pushimet në këto zona të kthehet përsëri me të njëjtat mbresa dhe emocione pozitive si herën e parë. 
Liqenet e vegjël. Në hapësirën e Shqipërisë ndodhen edhe dhjetra liqene të vegjël me origjinë akullnajore, liqene me origjinë karstike dhe liqene artificiale. Nga liqenet e shumta me origjinë akullnajore dallohen kompleksi i 12 liqeneve akullnajore të Lurës, liqenet e Doberdol - Sylbicës në Alpet e Tropojës, liqenet e Balgjait në Bulqizë, liqeni i Zi në Martanesh i cili është 60 m i thellë dhe mjaft i bukur. Po kështu veçohen, liqeni i Dushkut në Gramsh, 4 liqenet e Rajcës në Librazhd, liqeni i Shelgurit në Ersekë. Liqenet karstike përfaqësohen me 69 liqenet e pllajës së Dumresë, ku dallohet liqeni i Merhojës 960 ha, liqeni i Çestijes 61 metra i thelle, liqeni i Gjatë, i Belshit, i Seferanit, etj . 
Liqenet artificiale. Ndër liqenet artificiale më të mëdhenj përmendim liqenet e HC të Fierzës, Komanit, Vau i Dejës, Ulzës, Shkopetit. Liqene të tjera artificiale janë ato të Tiranës (55 ha), ujëmbledhësat e Farkës në Tiranë, liqeni i Thanës në Lushnjë dhe Gjancit në Vithkuq të Korçës. Liqenet e vegjël, përveç kënaqësive argëtuese dhe sportive që ofrojnë, kanë rreth tyre një florë dhe faunë mjaft të pasur me bimë, lule, pyje, kafshë dhe shpendë nga më interesantët dhe magjepësit. Gjithashtu liqeni i Komanit shërben edhe si rrugë lundruese duke ju ofruar pamje majft të bukura të ngjashme me “fiordet norvegjeze”. 

LUMENJTË 

Natyra shqiptare është mjaft e pasur me burime ujore, lumenj dhe përrenj të shumtë. Numërohen rreth 200 burime me prurje uji mbi 200 litra në sekondë. Burime me vlera të kurative janë edhe ato të ujërave termale të quajtura llixha. Këto burime ndodhen në Leskovik (Vronomero), në Dibër, në Elbasan, në Fushë Krujë (Bilaj), dhe në afërsi të Përmetit (Bënjë). Janë të shquar për bukurinë dhe veçantinë e tyre burimet e ujrave të Syrit të Kaltër në Delvinë, të Ujit të Ftohtë në Tepelenë, të Syrit të Sheganit pranë liqenit të Shkodrës, të Drilonit afër liqenit të Ohrit, të Viroit në Gjirokastër, të Poçemit në Mallkastër, etj. Rrjeti hidrografik i territorit të Shqipërisë përbëhet nga 11 lumenj kryesore, që së bashku me degët e tyre dhe përrenjtë e mëdhenj me ujë të vazhdueshëm arrijnë numrin 152. Lumi më i gjatë është lumi i Drint të Zi, 285 km. Ai përbëhet prej dy degëve, të cilat derdhen në liqenin artificial të Fierzës. Dega kryesore e Drinit të Zi buron nga liqeni i Ohrit dhe hyn në Shqipëri nëpërmjet grykës së Radikës. Lumenj të tjerë janë Valbona, Buna, Fani, Mati, Erzeni, Shkumbini, Semani, Vjosa, Osumi, Shushica, Devolli, Langarica, Drino, Bistrica, etj. Lumenjtë përveç bukurisë dhe mundësive argëtuese që ofrojnë, krijojnë hapësira, lugina dhe kanione të mrekullueshëm. Disa nga luginat më të bukura janë lugina e Valbonës dhe e Shalës në Alpet e Veriut, lugina e Tomorricës, gryka e Këlcyrës në lumin Vjosë, kanionet e përroit të Bënçës në zonën e Kurveleshit, kanionet e Osumit, etj. Këto kanione, përveç bukurisë dhe madhështisë së tyre natyrore që të emocionon, janë dhe një vend ideal për praktikimin e sporteve të ujit si vozitja me kanoe, rafting dhe barka gome. Një element tjetër i mahnitshëm i lumenjve të Shqipërisë janë kataraktet e mrekullueshme, si ai i Grunasit në përroin e Thethit në Alpet e Veriut, katarakti i Shoshanit në luginën e Valbonës, katarakti i Kokotrafit në Konispol, ujëvara e Progonatit në Kurvelesh, etj.

Harta Shqiperise

Planifikoni Pushimet

Kerko Akomodim

Publikime

Njoftime Elektronike