unesco-cities.jpg
sliderpng.png
Qytete të UNESCO-s
stunning-beauty.jpg
sliderpng.png
Bukuri Mahnitëse
old-churches.jpg
sliderpng.png
Kisha të Vjetra
paradise-beaches_1.jpg
sliderpng.png
Plazhe Përrallore
peaceful-nature.jpg
sliderpng.png
Natyrë Paqësore
challenging-experience.jpg
sliderpng.png
Përvoja Sfiduese

You are here

Trashëgimia komuniste

    Pas ardhjes në fuqi të komunistëve, qeveria e re mori masa të menjëhershme për konsolidimin e pushtetit së saj. Në janar 1945, në Tiranë u mbajt gjyqi special i popullit me në krye Koçi Xoxen (1917-1949), ministri i ri i Brendshëm nga Korça, për gjykimin e “kriminelëve më të mëdhenj të luftës”. Ky trup gjykues ndërmori një sërë procesesh gjyqësore farsë të cilat vazhduan për muaj. Qindra kundërshtarë ose të dyshuar si kundërshtarë të regjimit u dënuan me vdekje ose burgim afatgjatë. Në mars, nëpërmjet zbatimit të tatimit të jashtëzakonshëm të luftës u konfiskuan prona dhe pasuri private duke eliminuar në këtë mënyrë klasën e mesme dhe u bë shtetëzimi i industrisë.
    Udhëheqja komuniste në Shqipëri gjithmonë e ndjekur nga problemi i fraksionizmit, pak kohë pas ardhjes në pushtet, u nda në dy kampe. Ndarja e Titos nga Stalini më 1948 bëri që Enver Hoxha të gjente një aleat të ri me mbështetjen e të cilit ai mundi të ruante pushtetin e tij dhe shumë shpejt i eliminoi rivalët. Në qershor 1948, pas pak viteve te marrëdhënieve të ngushta me Beogradin, vendi kishte hyrë në orbitën sovjetike.
    Aleanca e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik ishte e dobishme për Shqipërinë. Sovjetikët dhanë ndihmë ekonomike dhe ushqimore duke mbuluar nevojat dhe mungesat e shkaktuara nga ndërprerja e ndihmës jugosllave. Gjithashtu ata i ofruan regjimit të Hoxhës mbrojtje ushtarake kundër Jugosllavisë fqinje dhe kundër Perëndimit në një kohë kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e vet. Për arsye se Shqipëria nuk ishte në kufi me Bashkimin Sovjetik, rreziku i gllabërimit të drejtpërdrejtë politik ishte i vogël dhe udhëheqja komuniste shqiptare ishte shumë e përqendruar në ruajtjen e pavarësisë formale të vendit.
    E përfshirë në sferën sovjetike, Shqipëria hyri një periudhë izolimi të thellë nga pjesa tjetër e botës. “Ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën” ishte parulla e propaganduar nga partia për krijimin e një mendësie kolektive rrethimi që do të shuante çfarëdolloj kundërshtimi. Më 1955, Shqipëria ishte bërë simbol i një shteti stalinist ku modelet sovjetike u kopjuan apo përshtatën praktikisht në çdo aspekt të jetës në Shqipëri.
    Megjithatë, kur Nikita Hrushovi (1894-1971) denoncoi krimet dhe lutin e individit të Stalinit në raportin sekret të mbajtur në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste të BS-së në shkurt 1956, Enver Hoxha e quajti revizionizëm. Nëpërmjet manovrave të shkathëta dhe të paskrupullta politike ai arriti të tejkalonte kritikën e politikës së tij staliniste dhe të ruante pushtetin.
    Brenda dhjetorit 1961, Bashkimi Sovjetik ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë, dhe Enver Hoxha në kërkim të një aleati të ri, i ktheu sytë nga Lindja e Largët. Aleanca shqiptaro-kineze e cila do të zgjaste nga 1961 deri në korrik 1978, e radikalizoi jetën politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri dhe e izoloi edhe më shumë vendin nga Evropa dhe pjesa tjetër e botës. Republika Popullore e Kinës i dha Shqipërisë ndihmën jetike ekonomike, konkretizuar në mallra dhe kredi me interes të ulët, mirëpo kjo nuk ishte e mjaftueshme për shpejtimin e rritjes ekonomike. Për të frenuar valën e pakënaqësisë popullore kundër sundimit të tij, Enver Hoxha zbatoi taktikën e tij tipike të kundërsulmit, nëpërmjet nisjes së një fushate të stilit kinez në fund të vitit 1965, për revolucionarizimin e të gjitha aspekteve të jetës së vendit, fushatë e cila përkoi me Revolucionin Kulturor në Kinë.
    Nga 1973 deri së paku më 1975 mbretëroi një fushatë terrori kundër shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë e ngjashme në konceptim me spastrimet staliniste të viteve ’30. Këto vite ishin një kthim mbrapa i zhvillimit të kulturës shqiptare. Një sërë spastrimesh në sfera të tjera të jetës së vendit e mbajtën popullin shqiptar në një gjendje ankthi, dhe pasigurie.
    Pas vdekjes së Enver Hoxhës më 11 prill 1985 pushteti politik i kaloi Ramiz Alisë, me prejardhje nga Shkodra i cili e qeverisi vendin me metoda disi më të buta, por pa ofruar asnjë ndryshim themelor të politikës ekzistuese.
    Sistemi komunist u trondit në themel në fillim të korrikut 1990 kur me mijëra shqiptarë, duke rrezikuar jetën, kërkuan strehim politik në ambasadën gjermane, italiane dhe franceze në Tiranë. Brenda gjashtë muajsh i erdhi fundi diktaturës njëpartiake e cila kishte dominuar të gjitha aspektet e jetës shqiptare për gjysmë shekulli. Në dhjetor 1990 u lejua pluralizmi politik dhe 31 mars 1991 u mbajtën zgjedhjet e para shumëpartiake në vend.
    Sado që në retrospektivë duket e pabesueshme madje edhe për vetë shqiptarët, stalinizmi i skajshëm mbijetoi i pacënuar dhe i pasfiduar në Shqipëri edhe për 37 vjet pas vdekjes së Stalinit më 1953. Ndonëse gjykimi përfundimtar mbi periudhën “socialiste” në Shqipëri iu përket historianëve e politologëve të ardhshëm, trashëgimia e 46 vjetëve “të izolimit të shkëlqyer” nën zgjedhën marksiste-leniniste e la vendin në mjerimin e gjithanshëm dhe me një ekonomi të prapambetur. Pas shembjes së sistemit njëpartiak në Shqipëri nuk ekzistonte një elitë intelektuale që do të mbushte zbrazëtinë. Ekonomia e vogël socialiste dhe vetë shoqëria shqiptare ishin rrënuar. Si pasojë, fillimi i viteve ’90 e gjeti kombin shqiptar në një katastrofë politike, ekonomike dhe shoqërore.

Robert Elsie
(shqip: Eva Bani)
 

Harta Shqiperise

Planifikoni Pushimet

Kerko Akomodim

Publikime

Njoftime Elektronike